Spider of the year 2021 – AL

Merimanga e Vitit 2021

Merimanga pirate – Ero furcata (Villers, 1789)

 

Merimanga pirate, Ero furcata (Villers, 1789), i përket familjes sё merimangave pirate me gunga (Mimetidae). Në mbarë botën, kjo familje ka 154 lloje, nga të cilat 10 jetojnë në Evropë dhe një në Shqipëri. Kjo familje përfaqësohet nga dy gjini, Ero dhe Mimetus. Gjinia Ero përfaqësohet nga katër lloje të shpërndara kryesisht në Evropën Qendrore: Ero aphana (Walckenaer, 1802), E. cambridgei Kulczyński, 1991, Ero furcata (Villers, 1789) dhe E. tuberculata (de Geer, 1778). E. tuberculata është i vetmi lloj që është identifikuar në Shqipëri. E. furcata është e shpërndarë në të gjithë rajonin Palearktik. Në Evropën Qendrore ajo ndodhet mё sё shumti nё rrafshinat dhe ultësirat deri në 800 m mbi nivelit e detit, por në rajonet malore ajo mund të gjendet deri në 1500 m. Në Austri ka të dhëna të pranisë së saj në shpatet e rrëpirave të maleve deri në 2000 m mbi nivelin e detit. Kjo merimangë gjendet në mjedise natyrore, zakonisht në bimësinë e ulët të llojeve të ndryshme të pyjeve, por edhe në pjesën e ulët të trungjeve të drurëve. Gjithashtu ato gjenden edhe në skajet e pyjeve, në shkurre dhe vende të ngrohta. Merimanga pirate nuk konsiderohet lloj i rrezikuar. Gjatësia e trupit të meshkujve është 2.5-3 mm, dhe e femrave 4.5-4.8 mm. Cefalotoraksi është i ngritur në pjesën e mesit, me ngjyrë kafe të lehtë dhe ka shenja të zeza karakteristike. Abdomeni është i shkurtër dhe i rrumbullakët, me ngjyrë kafe të lehtë dhe me arna të errëta dhe dy gunga në pjesën e përparme. Këmbët janë kryesisht me shenja të qarta unazore, dhe dy ciftet e para të këmbëve janë më të gjata se të tjerat. Merimanga pirate është, siç e nënkupton dhe emri, një grabitëse dhe ha vetëm merimangat e tjera, sidomos llojet rrjetë ndërtuese. Merimanga pirate nuk ndërton një rrjetë të vetën, por në mënyrë të qëllimshme ajo hyn gjatë mbrëmjes ose natën në rrjetën e merimangave të tjera duke e pushtuar atë. Për të realizuar këtë, ajo me mjeshtëri lëviz fillin e mëndafshit, duke pretenduar të jetë një pre e cila ka ngecur në rrjetë, duke e gënjyer merimangën e kësaj rrjete. Në këtë mënyrë ajo e rrëmben dhe e tërheq këtë pre me këmbët e gjata të përparme, e pickon në këmbë duke e helmuar, dhe më pas e konsumon duke i thithur indet e brendshme, të tretura nga sekrecionet e stomakut të merimangës pirate. Gjatë ditës merimanga pirate fshihet nën gjethe ose pjesë të tjera të drurëve, zakonisht me këmbët e saj të tërhequra, duke u bërë kështu mjaft e vështirë për t’u gjetur. Më e lehtë për tu zbuluar është thesi karakteristik i vezëve, i prodhuar në fund të verës. Thesi i vezëve është në formë të një pikële, rreth 4 mm dhe përbëhet nga disa shtresa të ndryshme të mëndafshit. Shtresa më e brendshme është e hollë e bardhë e përbërë nga fije shumë të holla, shtresa e mesme ka mëndafsh më të trashë e të fortë i cili mbështjell të shtrënguar fort shtresën e brendshme, dhe shtresa e jashtme me fije të forta të dredhura. Thesi i vezëve zakonisht varet me anë të një filli të hollë të fortë rreth 15 mm të gjatë, nën një zgjatje, fletë ose pjesë tjetër të drurëve. Varja e thesit në këtë mënyrë ofron mbrojtje të tij nga grabitqarët që hanë vezët, por kjo nuk pengon parazitizmin nga kafshë të tilla si grerëzat ikneumone të cilat mund të dëmtojnë deri në 40% të thesit të vezëve. Thesi i vezëve zakonisht ka vetëm 6-8 vezë. Të vegjlit çelin pas dimërimit, dhe arrijnë pjekurinë seksuale nga fundi i pranverës dhe pastaj ndërtojnë thesin e tyre me vezë, të cilat çelin gjatë verës. Në këtë mënyrë, Ero furcata mund të gjendet gjatë gjithë vitit. Në Evropën Qendrore ka të pranishme dhe tre lloje të tjera të merimangave pirate, dhe të gjitha kanë një mënyrë jetese të ngjashme. Ero cambridgei është i ngjashëm me Ero furcata pasi ka dy gjunga, por është më i vogël dhe mund të gjendet gjatë gjithë vitit në habitatet e lagura si këneta ose livadhet e përmbytura. Ero aphana ka katër gunga, gjendet në skajet e pyjeve dhe shkurreve të pishave dhe është kryesisht aktiv nga Prilli deri në Gusht në vende të ngrohta. Ero tuberculata është lloji më i madh, ka po ashtu katër gunga, ku çifti i përparmë i tyre është veçanërisht i madh. Ky lloj mund të gjendet edhe në pyjet e pishave dhe habitatet e lagura.

Pse ёshtё zgjedhur merimanga pirate si Merimanga Evropiane e Vitit?

Si një ‘hajdute mes hajdutëve’, merimanga pirate ka zhvilluar një mënyrë të pazakontë të ushqyerit. Thesi karakteristik i vezëve gjithashtu ofron mundësinë e të tërhequrit të vëmendjes drejt mënyrave të ndryshme me anë të të cilave mëndafshi i merimangave mund të prodhohet dhe përdoret në mënyrë efikase. Duke zgjedhur Merimangën e Vitit, shkencëtarët shpresojnë që jo vetëm që do ti kushtohet vëmendje një grupi pak të njohur të kafshëve, por në të njëjtën kohë edhe për të mbledhur informacionin e përditësuar mbi shpërndarjen aktuale të saj. Në këtë kontekst, mund të shijoni këtë Merimangë të Vitit 2021 dhe të na ofroni ndihmë me të dhënat e vendndodhjes suaj ose me dokumentime fotografike të këtij lloji. Merimanga Evropiane e Vitit është përzgjedhur nga 84 araknologë nga 27 shtete Evropiane. Kordinimi i votave është realizuar nga Muzeu i Historisë së Natyrës së Vjenës, së bashku me ‘ArachnologischeGesellschaft’ (AraGes) dhe Shoqatën Evropiane të Araknologjisë. Christoph Hörweg & Blerina Vrenozi.

Kontakt nё Shqipёri:

Dr. Blerina Vrenozi, Muzeu i Shkencave tё Natyrёs, Rr. Petro Nini Luarasi, Nd. 76-1, No. 2, 1010 Tiranë, Shqipёri. E-mail: blerina.vrenozi@fshn.edu.al

Posted in Spider_of_the_year_2021

Leave a Reply