Spider of the year 2018 – AL

Merimanga e Vitit 2018

Steatoda bipunctata (Linnaeus, 1758)

Merimanga e koteceve, Steatoda bipunctata (Linnaeus, 1758), i përket familjes Theridiidae. Në mbarë botën, kjo familje ka 2,487 lloje, nga të cilat 228 jetojnë në Evropë. Gjinia Steatoda përfaqësohet nga 13 lloje në Evropë, 4 prej të cilave gjenden edhe në Shqipëri. Merimanga e koteceve është e pranishme në të gjitha shtetet Evropiane.

Shpërndarja e saj vertikale është e gjerë pasi gjendet nga ultësirat në nivelin e detit deri në 2000 m në Alpe. Si një merimangë rrjet-ndërtuese, ky lloj gjendet më shumë në ose mbi ndërtesa, për shembull në të çarat e dritares.

S. bipunctata i përket llojeve më pak përzgjedhëse dhe mundet madje të mbijetojë edhe në dhoma mjaftueshmërisht të thata. Sikurse e nënkupton edhe emri, kotecet përbëjnë gjithashtu një habitat shumë të përshtatshëm për to. Sidoqoftë, ato ndodhen edhe në mjediset e jashtme, më shumë në kopshte, shkurre dhe mure – veçanërisht nën trungjet e pemëve – në të çarat e shkëmbinjve ose nën gurë. Merimanga e koteceve është një lloj shumë i zakonshëm në këto habitate, prandaj dhe ky lloj nuk listohet si i rrezikuar.

Gjatësia e trupit është 4.5–7 mm tek femrat dhe 4–5.5 mm tek meshkujt. Trupi duket shumë i yndyrshëm dhe me shkëlqim, dhe veçanërisht abdomeni lehtësisht i sheshtë. Për këtë arsye ky lloj quhet në disa shtete edhe “Merimangë yndyrore”. Ngjyra bazë e cefalotoraksit është kafe në pothuajse e zezë, ndërsa abdomeni është në përgjithësi kafe e lehtë në kafe e errët ose e zezë drejt pjesëve anësore. Një shirit i ndritshëm pak a shumë i dallueshëm përshkon mesin e abdomenit, po ashtu edhe një bandë e gjerë e zbehtë përshkon pjesën e përparme. Zakonisht në abdomen mund të shihen katër pika të vogla të errëta (këto tregojnë pikat ku muskujt lidhen në brendësi të trupit). Këmbët janë me ngjyrë të kuqe-në kafe dhe me unaza të errëta. Merimanga e koteceve ndërtojnë një rrjetë tredimensionale – zakonisht në cepa ose qoshe – me një fletë fijesh pak a shumë të trashë që mban fijet vertikale që ngrihen lart dhe fijet e tjerë shkojnë jashtë në pjesën anësore. Fijet kapëse drejtohen në pjesën e poshtme, dhe janë të pajisura me pikëza të ngjitshme, të vendosura në fund të fillit. Kur preja bie në rrjetë, atëherë filli shkëputet dhe merimanga del me shpejtësi nga streha e saj; e cila është zakonisht një e çarë afër rrjetës.

S. bipunctata mund të ketë pre jo vetëm insekte të vogla por madje edhe merimanga të mëdhaja sikurse është merimanga e shtëpisë. S.bipunctata mund të gjendet gjatë gjithë vitit, edhe pse vetëm meshkujt hasen zakonisht gjatë periudhës së çiftëzimit nga Qershori në Tetor. Gjatë çiftëzimit meshkujt bëjnë një zhurmë si cicërimë, që prodhohet nga organi stridulator i ndodhur në pjesën e pasme të cefalotoraksit gjatë fërkimit me pjesën e përparme të abdomenit. Në këtë mënyrë femra joshet të dalë jashtë strehës së saj për çiftëzim, i cili zakonisht ndodh në vjeshtë por ndonjëherë mund të ndodh gjithashtu edhe në pranverë. Femra prodhon rreth 50–100 vezë me ngjyrë pink në një kokon të bardhë i cili varet në brendësi të rrjetës. Steatoda bipunctata mund të ngatërrohet lehtësisht me llojin tjetër të së njëjtës gjini S. castanea, një lloj që jeton në habitate të njëjta por që ka shpesh një ngjyrim më të zbehtë dhe që gjendet në pranverë.

Pse Steatoda bipunctata është përzgjedhur Merimanga e Vitit 2018? Ky lloj është është përzgjedhur si i tillë sepse nga njëra anë gjendet shpesh brenda shtëpive dhe është relativisht e thjeshtë të identifikohet. Nga ana tjetër ai është një shembull i një merimange këmbë-krehër e cila nuk është e rrezikshme, në ndryshim me vejushat nga Mesdheu, të cilat janë helmuese për njerëzit dhe të cilat janë me të drejtë të frikshme dhe rregullisht përmenden në media. Cicërimat e meshkujve janë një tjetër veçori e këtij lloji. Duke zgjedhur merimangën e vitit, jo vetëm që do ti kushtohet vëmendje një grupi pak të njohur të kafshëve, por gjithashtu shpresojmë që kërkuesit shkencorë mund të marrin të dhëna të reja në lidhje me shpërndarjen aktuale të këtij lloji. Në këtë kontekst, mund të shijoni këtë merimangë të vitit 2018 dhe të na ofroni ndihmë me të dhënat e vendndodhjes suaj ose me dokumentime fotografike të këtij lloji.

Merimanga e vitit 2018 është përzgjedhur nga 83 araknologë nga 26 shtete Evropiane. Kordinimi është realizuar nëpërmjet Muzeut të Historisë së Natyrës në Vjenë së bashku me Arachnologische Gesellschaft (AraGes) dhe European Society of Arachnology (ESA).

Christoph Hörweg & Blerina Vrenozi

Kontakt nё Shqipёri

Dr. Blerina Vrenozi, Muzeu i Shkencave tё Natyrёs, Rr. Petro Nini Luarasi, Nd. 76-1, No. 2, 1010 Tiranë, Shqipёri. blerina.vrenozi(at)fshn.edu.al

 

Posted in Spider_of_the_Year_2018