Spider of the year 2019 – AL

Merimanga e Vitit 2019

Merimanga milingonë – Myrmarachne formicaria (De Geer, 1778)

Merimanga milingonë, Myrmarachne formicaria (De Geer, 1778), i përket familjes së merimangave kërcyese (Salticidae). Në mbarë botën, kjo familje ka 6,089 lloje, nga të cilat 345 jetojnë në Evropë. Gjinia Myrmarachne përfaqësohet nga tre lloje në Evropë, ku vetëm ky lloj gjendet në Evropën Qendrore. M. formicaria është e shpërndarë përgjatë Palearktikut, por së fundmi i ka zgjeruar kufijtë e saj të shpërndarjes deri në USA, ku është introduktuar nga njerëzit. Në Austri dhe Gjermani, për shembull, ajo gjendet gjerësisht në zonat e rrafshëta dhe kodrinore deri në 800 m mbi nivelin e detit, ku kryesisht preferon zonat e ngrohta. Ky lloj gjendet shpesh në këto zona dhe nuk është cilësuar si në rrezik zhdukjeje. Ashtu si të gjitha merimangat kërcyese, merimanga milingonë nuk ndërton një rrjetë për të kapur prenë e saj, por pret – ose e ndjek atë. Ato jetojnë kryesisht në tokë ose në mbetjet e gjetheve, zakonisht afër milingonave që ato imitojnë të tilla si Myrmica rubra ose Formica. M. formicaria gjenden në habitate të ndryshme, zakonisht në lëndina të thata ose pemishte të ngrohta, por gjithashtu edhe në vende të lagështa ose të njoma. Ajo mund të gjendet gjatë gjithë vitit, por fazën kryesore të aktivitetit të tyre e kanë nga Prilli deri në Gusht, ndërkohë që preferon të dimërojë në guackat boshe të moluskëve tokësorë.

Ndërtimi i jashtëm. Ndryshe nga merimangat e tjera kërcyese që kanë trup të mbledhur, M. formicaria ka trup të zgjatur dhe delikat me gjatësi rreth 5 deri në 6.5 mm i cili i ngjan trupit të një milingone. Ngjyrimi bazë i cefalotoraksit është portokalli–kafe me vetëm zonën e kokës më të errët. Abdomeni oval i zgjatur është i verdhë në portokalli-kafe, me ngjyrim të zi në pjesën e tretë fundore. Abdomeni është i lidhur me cefalotoraksin nga një bel i ngushtë, i ngjashëm më atë të milingonave. Këmbët kanë ngjyrë të verdhë në portokalli me njolla të zeza dhe vija gjatësore anësore. Çifti i parë i këmbëve me njolla të zeza dhe ka metatarse shumë të errëta dhe pak të trasha të cilat ngjasojnë me antenat e milingonave. Madje edhe sytë posterior janë qartësisht të mëdhenj, të ngjashëm me sytë e një milingone në përmasë dhe në pozicion. Femrat kanë zhvilluar normalisht pjesët e gojës, por tek meshkujt këto janë të zgjatura pak a shumë horizontalisht përpara dhe janë të dyja të sheshta dhe të gjata. Në këtë mënyrë të dyja sekset mund të dallohen lehtësisht nga njëri tjetri. Gjatë çiftëzimit, meshkujt i reklamojnë femrave nofullat e tyre massive. Në të njëjtën kohë, këto pjesë të gojës përdoren njëkohësisht në ritualet e betejave në të cilat të dy meshkujt qëndrojnë përballë njëri tjetrit dhe kërcënojnë kundërshtarin e tyre me anë të hapjes gjerësisht të nofullave.

Mimikria. Ky lloj imiton morfologjinë dhe lëvizjet e milingonave, por jo me qëllim të ushqyerit me to. Merimanga gjuan miza të vogla dhe shpesh edhe dëmtuesit e bimëve të tillë si afidet. Merimangat përfitojnë më shumë prej faktit se milingonat për arsye të agresivitetit të tyre, kanë më pak armiq, kështu që merimangat sulmohen më rrallë nga grerëzat gërmuese ose ikneumonide, ose nga zogjtë. Merimangat kërcyese imituese të milingonave janë një shembull i vërtetë i mimikrisë mbrojtëse. Gjithashtu, edhe lëvizjet e milingonave janë imituar, kryesisht në mënyrën se si ato ecin. Në vend të stilit ‘tipik’ kërcyes të merimangave, mund të shihen lëvizje ‘si milingonë’ me faza të shkurtëra vrapruese dhe lëvizje valëzuese, sikur të ishte një milingonë në ndjekje të gjurmëve të feromonit. Për më tepër, merimanga përdor vetëm tre nga katër çiftet e këmbëve për ecje, gjatë së cilës çifti i parë i këmbëve mbahet lart në ajër, me qëllim imitimin e antenave të milingonave. Falë lëvizjeve specifike të çiftit të parë të këmbëve, merimanga fsheh sytë e saj të mëdhenj medianë, karakteristikë të Salticidëve. Në Evropën Qendrore ndodhen dy gjini të tjera merimangave kërcyese të ngjashme me milingonat: Synageles dhe Leptorchestes. Merimanga Synageles venator është e gjatë 3 deri në 4 mm, ndërsa Leptorchestes berolinensis ka të njëjtat përmasa me merimangën milingonë, por nuk e ka zonën e syve të ngritur në krahasim me pjesën tjetër të cefalotoraksit.

Pse ishte zgjedhur merimanga milingonë kërcyese si Merimanga Evropiane e Vitit? Arsyeja kryesore është sigurisht dukuria e mimikrisë si milingonë, e cila jo vetëm lidhet me formën e trupit të saj por gjithashtu edhe me kopjimin e mënyrës së lëvizjes dhe sjelljes. Kjo është një mënyrë e mrekullueshme e shmangies së grabitqarëve. Duke zgjedhur merimangën e vitit, jo vetëm që do ti kushtohet vëmendje një pak të njohur të kafshëve, por gjithashtu shpresojmë që shkenctarët mund të kontribuojnë me të dhëna rreth shpërndarjes aktuale të tij. Në këtë kontekst, mund të shijoni këtë merimangë të vitit 2019 dhe të na ofroni ndihmë me të dhënat e vendndodhjes suaj ose me dokumentime fotografike të këtij lloji. Merimanga Evropiane e Vitit është përzgjedhur nga 83 araknologë nga 26 shtete Evropiane. Kordinimi i votave është realizuar nga Muzeu i Historisë së Natyrës së Vjenës, së bashku me ‘ArachnologischeGesellschaft’ (AraGes) dhe Shoqatën Evropiane të Araknologjisë.

 

Christoph Hörweg & Blerina Vrenozi.

Posted in Spider_of_the_Year_2019