Merimanga Europiane e vitit 2013
Atypus affinis Eichwald, 1830
Atypus affinis Eichwald, 1830 është ndoshta merimanga më e zakonshme megalomorfe europiane e cila i përket familjes Atypidae. Këto janë të vetmet përfaqësuese të Europës qendrore, të cilat ngjajnë me tarantulat, pasi karakterizohen nga forma dhe pozicioni i kelicerave të vendosura gjithmonë përpara dhe paralele. Anglosaksonët i përkufizojnë Atypidae si “purse web-spider” (merimangat që ndërtojnë rrjetë në formë çante) në varësi të aparatit të veçantë që merimangat e kësaj familjeje përdorin për kapjen e presë.
Në mbarë botën njihen vetëm tre gjini të familjes Atypidae dhe një total prej 49 lloje, nga të cilat tre lloje janë të pranishme në Europë (nga më e madhja tek më e vogla: Atypus muralis, Atypus piceus dhe Atypus affinis), për të cilat anglosaksonët kanë tre emra të zakonshëm në varësi të veçantive të tyre (përkatësisht: wall purse-web spider, pitch-black purse-web spider dhe common purse-web spider).
Shpërndarja e tyre në Europë është e ndryshme. Kështu, në Gjermani Atypus affinis është më e zakonshme, ndërkohë që në Austri ajo është lloji më i rrallë nga të tre llojet e sipër përmendura. A. affinis është një lloj i ri për Shqipërinë, ku sipas studimeve të doktoraturës së B.Vrenozi ky lloj njihet vetëm në rrethin e Tiranës.
Në pjesën më të madhe të vendeve europiane ku ato ndodhen, A. affinis ndodhet në Listën e Kuqe, në kategorinë “lloje në rrezik zhdukje” ose “lloje ekstremisht në rrezik zhdukje”.
Atypus affinis është e kufizuar vetëm në zonat kserotermike, të thata, të ngrohta dhe me diell. Ndër habitatet e preferuara për këtë lloj përmendim pyjet e pishës, në shpatet e ekspozuara me drejtimin jugor si dhe në livadhet e thata. Në ndryshim nga llojet e tjera, A. affinis priret të ndodhet në ultësira dhe zona kodrinore të ulëta deri në 600m dhe kryesisht është e shpërndarë në pjesët perëndimore dhe veriore të Europës qendrore.
Gjatësia e trupit të mashkullit (duke përjashtuar pjesët e gojës) është 7–10 mm, ndërsa për femrën 10–15 mm. Ngjyrimi tek meshkujt është më shumë i zi pis, tek femrat është kafe e errët, ndërsa të vegjlit kanë kryesisht ngjyra më të zbehta. Sternumi është qartësisht i ndritshëm. Spineretat e gjata posteriore janë të ndara në tre segmente (një tipar që shërben për të dalluar A. affinis nga dy llojet e tjera). A. piceus ka një gjysmë unazë të papigmentuar në segmentin e fundit (që e bën të duket sikur ka 3½), ndërkohë që A. muralis ka katër spinereta të segmentuara. Gjithashtu edhe A. affinis ka një zonë të papigmentuar të pjesës më të jashtme të majës së patellës të çiftit të parë të këmbëve.
Të gjithë llojet e gjinisë Atypus jetojnë në tuba nëntokësor rreth 10–30 cm të gjatë, të cilët ato i kanë gërmuar me anë të kelicerave të fuqishme dhe i kanë mbushur me mëndafsh. Mbi sipërfaqe kjo rrjetë formon “tub gjuajtës” rreth 1 cm të gjerë dhe 10 cm të gjatë, i cili del nga toka dhe është i maskuar me thërrmija toke nga mjedisi përreth. Merimanga pozicionohet në brendësi të tubit dhe pret për insektet endacake tokësore të ecin mbi pjesën e jashtme të tubit gjuajtës. Në momentin e duhur, merimanga e kafshon me shpejtësi prenë nëpërmjet tubit gjuajtës, dhe më pas e tërheq në brendësi, ku do të konsumohet. Brenda një kohe të shkurtër, pjesa e vogël e rrjetës së dëmtuar do të riparohet me saktësinë më të madhe. Preja e preferuar e merimangave të gjinisë Atypus përfshin në përgjithësi milingonat dhe koleopterët, por në shumë raste edhe shumëkëmbëshit.
Gjatë sezonit të çiftëzimit (nga Shtatori në Nëntor) gjenden shpesh meshkujt të cilët enden në mënyrë aktive në sipërfaqen e tokës. Në ndryshim nga ky lloj, A. piceus ka aktivitet më të lartë veçanërisht nga Maji në Korrik.
Meshkujt e A. affinis shkojnë në kërkim të femrave duke shkaktuar vibracione në tubin gjuajtës të partneres. Menjëherë sapo i tërheq vëmendjen femrës, meshkujt futen në tub dhe çiftëzohen në pjesën më të thellët të strehës nëntokësore.
Vezët vendosen në pjesën e zgjeruar të tubit nëntokësor në brendësi të një thesi me vezë “kokoni”. Në vjeshtë dalin të vegjlit (deri në 100 individë), të cilët qëndrojnë në tubin e nënës pa u ushqyer, deri në pranverë. Me ngritjen e temperaturës (Mars – Prill), të vegjlit e braktisin tubin dhe shpërndahen jashtë nëpërmjet “ballooning” (duke lëshuar një fill mëndafshi i cili e lejon të transportohet me anë të erës). Në ndryshim nga shumë merimanga të tjera të Europës qendrore, këto gjallesa mund të jetojnë një jetë të gjatë deri në 8–10 vite.
Nëse, gjatë një shëtitje në vjeshtë, do tju ndodhë të rastisni një merimangë mashkull të gjinisë Atypus në kërkim të një femre, atëherë ju do të keni një mundësi perfekte për të parë Merimagën e Vitit 2013. Ose ndoshta ju mund të shikoni një tub të çuditshëm prej mëndafshi të maskuar shumë mirë.
Në secilin rast:”Ia vlen të përgjosh merimangën Atypus affinis, e cila sigurisht që nuk do tju shkaktojë ju as dëmtim dhe as frikë.”
Christoph Hörweg & Blerina Vrenozi
Contact Albania
Dr. Blerina Vrenozi, Qendra Kërkimore e Florës dhe Faunës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Tirana, Albania
e-mail: blerina.vrenozifshn.edu.al, Mob: (+355) 069 25 01331