Spider of the year 2026 – AL

Merimanga e Vitit 2026

Merimanga e kriketit me rrjetë të rrumbullakët

Mangora acalypha (Walckenaer, 1802)

Informacion

Merimanga e kriketit me rrjetë të rrumbullakët, Mangora acalypha (Walckenaer, 1802), i përket familjes së merimangave që thurin rrjeta të rrumbullakëta Araneidae. Kjo familje është e treta më e madhe në mbarë botën dhe përfshin 198 gjini me mbi 3,160 lloje. Gjinia Mangora përfshin 190 lloje, prej të cilave kjo është e vetmja që gjendet në Evropë.

Shpërndarja, habitati, statusi i rrezikimit

Mangora acalypha është e shpërndarë në të gjithë rajonin Palearktik dhe gjendet në të gjithë Evropën. Lartësia e saj e preferuar varion nga zonat e ulëta deri në ato kodrinore (deri në 800 m mbi nivelin e detit), më rrallë deri në 1,000 m në Gjermani dhe deri në 1,500 m në Francë. Kjo merimangë mund të gjendet në shumë habitate, kryesisht në ato me diell, si kullota të thata, livadhe, kopshte, zona të papunuara dhe pyje të hapura. Për shkak të bollëkut dhe habitateve të shumta të disponueshme, ajo klasifikohet në Listat e Kuqe si jo e rrezikuar.

Përshkrimi

Gjatësia e trupit të femrës Mangora acalypha është 4.5–6 mm, ndërsa meshkujt janë pak më të vegjël, rreth 3–3.5 mm. Të dy gjinitë kanë ngjyrim dhe shenja të ngjashme. Cefalotoraksi (pjesa e përparme) ka ngjyrë të verdhë të hapur ose kafe-jeshile uniforme me një anë të zezë dhe një shirit qendror të zi; abdomeni është i bardhë në të verdhë. Shenjat në pjesën e sipërme të abdomenit janë karakteristike: ato përbëhen nga tre shira të errët—më saktësisht, tre rreshta pikash të zeza të lidhura me vija gjatësore. Interpretimet e këtyre shenjave ndryshojnë: në Angli ato interpretohen si forma e një shkopi kriketi (cricket bat), prej nga vjen edhe emri i saj; në Gjermani quhet “merimanga e kryqit me shufra”, ndërsa në Francë krahasohet me formën e një shisheje të vogël.

Mënyra e jetesës

Mangora acalypha ka një periudhë riprodhimi nga fundi i pranverës deri në verë, dhe individët e pjekur mund të gjenden nga prilli deri në gusht. Femra i lëshon vezët nga mesi i majit në një kokon prej mëndafshi të bardhë me diametër 4–5 mm, që përmban rreth 25 vezë. Të vegjlit çelin në korrik, ndërrojnë lëkurën dhe dimërojnë në tokë, mes myshkut dhe gjetheve të rëna. Kjo merimangë ndërton rrjetat e saj në bazën e bimësisë së ulët ose në shkurre, zakonisht në habitate të hapura dhe me diell. Rrjeta, rreth 20–30 cm e gjerë, është tipikisht e pjerrët me 40–60 fije rrezore dhe një qendër të mbyllur të thurur me fije shumë të holla. Merimanga nuk ndërton një strehë të veçantë dhe zakonisht qëndron në qendër të rrjetës gjatë ditës. Nëse shqetësohet, ajo lëshohet në tokë me një fije mëndafshi. Dieta e saj përbëhet kryesisht nga insekte të vogla fluturuese si mushkonjat dhe mizat.

Lloje të ngjashme

Nuk ka lloje të ngjashme: merimanga e kriketit dallohet lehtësisht falë shenjave unike në abdomenin e saj.

Pse Mangora acalypha ёshtё zgjedhur si Merimanga Evropiane e Vitit?

Kjo merimangë është e zakonshme dhe e përhapur, duke u gjetur pothuajse kudo gjatë shëtitjeve në natyrë. Ajo është e lehtë për t’u njohur jo vetëm nga modeli karakteristik i abdomenit, por edhe nga rrjeta e saj me numër të lartë fijesh rrezore dhe qendër të thurur imët, që e dallon nga rrjetat e merimangave të tjera të kësaj familjeje. Përzgjedhja synon jo vetëm të vendosë në dritë një grup kafshësh “më pak të njohura”, por në të njëjtën kohë shkencëtarët shpresojnë të mbledhin të dhëna për shpërndarjen e saj aktuale. Prandaj, me këtë informacion në mendje, në shëtitjen tuaj të radhës në pyll ose mal dhe ndihmoni në dokumentimin e këtij lloji me raportimin ose foton tuaj. Merimanga e Vitit koordinohet nga Muzeu i Historisë Natyrore në Vjenë, në bashkëpunim me Shoqatën Araknologjike (AraGes) dhe Shoqatën Evropiane të Araknologjisë (ESA).

Christoph Hörweg & Norbert Milasowszky.

Kontakt nё Shqipёri:
Prof. Assoc. Dr. Blerina Vrenozi, Muzeu i Shkencave tё Natyrёs, Rr. Petro Nini Luarasi, Nd. 76-1, No. 2, 1010 Tiranë, Shqipёri. E-mail: blerina.vrenozi@fshn.edu.al

Posted in Spider_of_the_Year_2026

Leave a Reply