Spider of the year 2025 – AL

Merimanga e Vitit 2025

Merimanga shpinë-gjarpër

Segestria senoculata (Linnaeus, 1758)

Informacion

Merimanga shpinë-gjarpër, Segestria senoculata (Linnaeus, 1758), i përket familjes së merimangave me pëlhurë si tub (Segestriidae). Kjo familje përbëhet nga pesë gjini me 181 lloje në mbarë botën. Gjinia Segestria përfshin 22 lloje, tetë prej të cilave gjenden edhe në Evropë. Shpërndarja, habitati, statusi i rrezikimit. Segestria senoculata ka një shpërndarje Palearktike dhe gjendet në të gjithë Evropën. Shpërndarja e saj lartësore varion nga fusha deri në kodra me lartësi në 800 m mbi nivelin e detit, e deri në 2200 m lartësi në Alpet Qendrore. Kjo merimangë jeton në pyje dhe në grumbuj drurësh ose rrënojash. Për shkak të bollëkut të saj dhe disponueshmërisë së lartë të habitateve të përshtatshme, ajo klasifikohet si jo e rrezikuar në Listat e Kuqe.

Përshkrimi

Gjatësia e trupit të femrës së Segestria senoculata është 7–10 mm, ndërsa meshkujt janë pak më të vegjël, 6–9 mm. Të dy gjinitë kanë ngjyrim dhe shenja të ngjashme. Cefalotoraksi (pjesa e përparme) është kafe e shkëlqyeshme, ndërsa abdomeni oval është bezhë/gri e zbehtë, me një shirit qendror ngjyrë kafe të errët me skaje të dhëmbëzuara. Ky shirit ngjan me modelin e errët të një gjarpri, nga i cili rrjedh edhe emri: merimanga shpinë-gjarpër. Këmbët janë kafe e hapur me unaza të errëta. Ndryshe nga shumica e merimangave që kanë tetë sy, merimangat e kësaj familjeje kanë vetëm gjashtë sy, të renditur në tri grupe me nga dy sy, që formojnë një formë si “H” kur shihen nga lart.

Mënyra e jetesës

Ashtu si të gjitha merimangat e kësaj familjeje, merimanga shpinë-gjarpër është kryesisht nokturne dhe ndërton një pëlhurë karakteristike për të kapur prenë. Kjo përbëhet nga një tub si rrjetë i ndërtuar në çarje dhe vrimat e lëvores së pemëve ose midis gurëve, nga hyrja e të cilit dalin fijet e mëndafshta rrezore. Këto fije shërbejnë si “lajmëtarë” për prenë që kalon (kryesisht insekte) duke transmetuar dridhjet përkatëse. Pasi errësohet, Segestria senoculata zhvendoset në hyrje të tubit ku pret prenë. Ajo tregon një pozicion karakteristik të këmbëve: tri çiftet e para të këmbëve janë të drejtuara përpara, ndërsa çifti i katërt është i drejtuar prapa. Asnjë merimangë tjetër nuk shfaq një pozicion të tillë të këmbëve. Gjatë sezonit të çiftëzimit, meshkujt lënë tubat e tyre për të kërkuar femrat. Individët e rritur mund të gjenden gjatë gjithë vitit. Kur mashkulli takon pëlhurën e femrës, ai tund fijet sinjalizuese të rrjetës së saj. Nëse femra nuk tregon agresivitet, do të ndodh ciftëzimi. Pas çiftëzimit, femra i fekondon vezët brenda tubit dhe i mbështjell në një kokon oval që përmban 60 deri në 180 vezë. Ky lloj ka nevojë për rreth dy vjet për të arritur pjekurinë seksuale.

Lloje të ngjashme

Në Evropën Qendrore gjenden edhe dy lloje të tjera të gjinisë Segestria: merimanga bavareze e tubave, Segestria bavarica, e cila është pak më e madhe (deri në 14 mm) dhe njollat e saj në abdomen nuk janë të vazhdueshme, si dhe merimanga e tubave me dhëmbë të gjelbër, Segestria florentina, e cila mund të rritet deri në 22 mm dhe ka një trup plotësisht të zi.

Pse Segestria senoculata ёshtё zgjedhur si Merimanga Evropiane e Vitit?

Me këtë lloj, prezantohet për herë të parë një përfaqësues i familjes së merimangave me rrjetë si tub, i cili zbulon disa veçori të veçanta: gjashtë sy në vend të tetë, një lloj karakteristik rrjete, dhe një pozicion unik të këmbëve. Përzgjedhja synon jo vetëm të vendosë në dritë një grup kafshësh “më pak të njohura” dhe të nxjerrë në pah habitatet e kërcënuara – në këtë rast, habitatet e vogla natyrore si çarjet e lëvores së pemëve dhe shkëmbinjve – por në të njëjtën kohë shkencëtarët shpresojnë të mbledhin të dhëna për shpërndarjen e saj aktuale. Prandaj, me këtë informacion në mendje, në shëtitjen tuaj të radhës në pyll ose mal dhe ndihmoni në dokumentimin e këtij lloji me raportimin ose foton tuaj. Merimanga e Vitit koordinohet nga Muzeu i Historisë Natyrore në Vjenë, në bashkëpunim me Shoqatën Araknologjike (AraGes) dhe Shoqatën Evropiane të Araknologjisë (ESA).

Christoph Hörweg & Norbert Milasowszky.

Kontakt nё Shqipёri:
Prof. Assoc. Dr. Blerina Vrenozi, Muzeu i Shkencave tё Natyrёs, Rr. Petro Nini Luarasi, Nd. 76-1, No. 2, 1010 Tiranë, Shqipёri. E-mail: blerina.vrenozi@fshn.edu.al

Posted in Spider_of_the_year_2025

Leave a Reply