Spider of the year 2014 – AL

Merimanga Europiane e vitit 2014

Endësja e zakonshme e varur e rrjetave – Linyphia triangularis (Clerck 1757)

Endësja e zakonshme e varur e rrjetave Linyphia triangularis (Clerck 1757) i përket familjes Linyphiidae. Kjo është familja e dytë me numrin më të madh të merimangave në botë, pas merimangave kërcyese, me 4,461 lloje. Në të gjithë Europën gjenden 1,248 lloje të familjes Linyphiidae, ndërsa vetëm Europa qendrore ka 493 lloje.
Merimangat endëse të zakonshme të varura të rrjetave, karakterizohen nga ndërtimi i rrjetës së tyre. Të gjitha llojet ndërtojnë një shtrat të varur ose një rrjetë në formë tende nga e cila ato kanë marrë edhe emrin e tyre të përgjithshëm. Endësja e zakonshme e varur e rrjetave është shumë atipike për anëtarët e kësaj familje, për arsye të përmasave të mëdha të saj dhe të shenjave të qarta dalluese në cefalotoraks, tipare të cilat i bëjnë këto merimanga shumë të lehta për tu identifikuar. Në Europën qendrore kjo është, deri diku, merimanga endëse e varur e rrjetave e hasur më shpesh.

Ajo gjendet përgjatë pjesës më të madhe të Palaearktikut dhe shpërndarja e këtij lloji shtrihet nga zona me klimë të butë deri në zonat subtropikale. Ajo gjendet në të gjitha shtetet Europiane përveç Islandës dhe shpërndarja e saj gjatësore varion nga rajonet e rrafshëta dhe kodrinore deri në rajonet malore.
Në termat e habitateve, ky lloj është mjaft i paspecializuar dhe gjendet si një ‘përgjithësues’ në pyjet me lagështirë ose në të gjitha zonat e hapura të tilla si livadhet, anës pyjeve, parqe dhe kopshte. Ajo mund të gjendet në mjedise të përshtatshme në një numër shumë të madh dhe në termat e mbrojtjes së natyrës ajo është konsideruar si “jo e rrezikuar”.
Merimangat endëse të zakonshme të rrjetave të varura, zakonisht e ndërtojnë rrjetën e tyre në bar ose në pjesën e poshtme të shkurretave afër me tokën. Si në shumë shembuj të llojeve të kësaj familje, rrjeta përbëhet nga një fletë horizontale e lidhur në pjesën e poshtme me tokën, sipër së cilës vendoset një rrjetë e “fijeve udhëtuese” të çlirëta, rreth 20 cm e lartë. Merimanga pothuajse gjithmonë qëndron kokëposhtë nën rrjetë. Preja zakonisht ngatërrohet me “fijet udhëtuese” dhe më pas rrëzohet mbi rrjetë, ku dhe kapet nga merimanga. Preja tipike e tyre përfshin insekte të vogla si mushicat, miza të vogla dhe brumbuj.

Gjatësia e trupit tek të dyja sekset është rreth 5-7 mm. Cefalotoraksi ka ngjyrë bezhë në kafe me pjesët anësore të zeza në kafe dhe një bandë të zezë në mes, e cila ndahet diku afër mesit të cefalotoraksit duke vazhduar përpara. Kjo shenjë dalluese ngjason me një pirun të kthyer sipër. Abdomeni është i verdhë në të bardhë, në mesin e të cilit ndodhet një bandë e gjerë me pjesët anësore ngjyrë kafe të errët, e cila ngushtohet aq shumë herë, saqë shpesh është e dallueshme një strukturë tipike me njolla trekëndore. Në pjesën anësore janë gjithashtu të dukshme bandat dhe njollat kafe; pjesa e poshtme ka ngjyrë kafe të errët në të zezë. Këmbët janë me ngjyrë bezhë në kafe. Meshkujt dallohen nga femrat pasi kanë një abdomen dukshëm më të hollë si dhe pjesët e gojës i kanë të zmadhuara. Gjithashtu edhe ngjyrimi i tyre është më shumë i kuq në kafe.

Ekziston mundësia që ky lloj të ngatërrohet me Linyphia tenuipalpis e cila është pak më e vogël dhe preferon habitate më të ngrohta. Për më tepër, merimangat adulte i gjejmë diku nga javët e para të Qershorit deri në Tetor. Në raste pasigurie, një identifikim i saktë është i mundur vetëm nëpërmjet studimit të organeve gjenitale me anë të mikroskopit.

Individët adultë të merimangës së zakonshme endëse të rrjetave të varura gjenden nga muaji Gusht deri në muajin Tetor. Në Europën qendrore çiftëzimi në shumicën e rasteve realizohet në Shtator. Gjatë kësaj kohe meshkujt varen përreth rrjetës së femrës. Gjatë kopulimit edhe mashkulli pozicionohet me kokëposhtë, përballë femrës, dhe fut pedipalpet e tij njëri pas tjetrit në hapjen e organit gjenital të saj. Merimangat e vogla pasardhëse dimërojnë brenda në kokon.
Linyphia triangularis ishte paracaktuar për të qenë merimanga e vitit: ajo nuk është vetëm një përfaqësuese e thjeshtë e kësaj familje të spikatur të merimangave, me rrjetë të shtresëzuar lehtësisht të dukshme. Ajo gjithashtu shfaq aspekte interesante biologjike: femrat e tërheqin mashkullin brenda në rrjetë për tu çiftëzuar duke përdorur një feromon seksual dhe meshkujt gjithashtu shfaqin një sjellje të “ruajtjes së çiftëzimit” në aspektin e qëndrimit për pak kohë në rrjetën e femrës – madje edhe pas çiftëzimit – me qëllim për “t’a mbrojtur” atë nga meshkujt e tjerë. Në këtë mënyrë ai mund të sigurojë që të mos ndodhë një çiftëzim tjetër dhe që në të vërtetë janë gjenet e tij që do të kalohen në brezin tjetër.

Gjithashtu në këtë vit, vjeshta do të jetë një kohë e përshtatshme për të hasur merimangën e vitit 2014. Rrjeta është gjëja e parë që ju do të zbuloni, pas së cilës sigurisht që ia vlen të shikoni më nga afër!

Contact Albania

Dr. Blerina Vrenozi, Qendra Kërkimore e Florës dhe Faunës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Tirana, Albania
bvrenozig(a)mail.com

Posted in Spider_of_the_Year_2014