Spider of the year 2022 – AL

Merimanga e Vitit 2022

Merimanga zukatëse – Hygrolycosa rubrofasciata (Ohlert, 1865)

Merimanga zukatëse, Hygrolycosa rubrofasciata (Ohlert, 1865), i përket familjes sё merimangave ujk (Lycosidae). Në mbarë botën, kjo familje ka 2440 lloje, nga të cilat 352 lloje janë të njohura në Evropë dhe 46 lloje në Shqipëri. Në gjininë Hygrolycosa ka vetëm pesë lloje në të gjithë botën dhe dy lloje në Evropë, nga të cilat Hygrolycosa strandiis ndodhet vetëm në Greqi. Merimanga zukatëse është e vetmja përfaqësuese e këtij grupi në Evropën Qendrore, ndërsa në Shqipëri ende nuk është identifikuar.

 

Shpërndarja, habitati, statusi e rrezikimit. Merimanga zukatëse është e shpërndarë në të gjithë rajonin Palearktik. Në Evropën Qendrore është gjetur më së shumti në rrafshinat dhe ultësirat deri në 800 m mbi nivelin e detit. Në Austri, kjo është një nga merimangat më të rralla me vetëm pak të dhëna në Vorarlberg, Styria dhe Burgenland, të gjitha të lidhura me habitatin e saj të specializuar. Hygrolycosa rubrofasciata preferon habitatet e lagështa, duke u gjendur kështu vetëm në vende të përzgjedhura pothuajse natyrore të tilla si këneta, moçale, livadhe të lagura ose pyje të lagura (kanione). Për shkak të kërcënimeve në rritje dhe shkatërrimit të disa prej habitateve të saj të preferuara, merimanga zukatëse shpesh është vendosur në listën e kuqe të llojeve të rrezikuara të kafshëve dhe bimëve. Për shembull, ajo është vlerësuar si një lloj në rrezik zhdukje në Austri, dhe e rrezikuar në Gjermani.

 

Përshkrimi. Gjatësia e trupit të Hygrolycosa rubrofasciata është 5 – 6 mm. Ndryshimi midis të dy sekseve nuk është dallimi tipik i merimangave ku femrat janë me gjatësi më të madhe të trupit, por lidhet me ngjyrimin dhe shenjat. Meshkujt janë pothuajse të zinj, me tre vija të zbehta në cefalotaks, ndërsa abdomeni ka ngjyrë kafe të errët në të zezë dhe me katër rreshta të lidhura me pika të bardha. Këmbët kanë dy ngjyra, të zeza dhe kafe të lehta. Femrat kanë një cefalotoraks me ngjyrë kafe të lehtë, me tre vija të zbehta përgjatë gjatësisë së saj dhe dy rreshta të hollë me arna të errëta. Abdomeni është gjithashtu i zbehtë, ndërsa këmbët janë ngjyrë kafe të zbehtë me pika të errëta.

 

Mënyra e jetesës. Ashtu si shumica e merimangave ujk, merimanga zukatëse nuk ndërton një rrjetë, por ajo është aktive gjatë ditës si një grabitqare që i zë pritën presë së saj: kryesisht insekte. Gjatë sezonit të çiftëzimit në pranverë, meshkujt me anë të abdomenit të tyre godasin në gjethet e thata duke bërë një zhurmë që është e dëgjueshme edhe për njerëzit, si një tingull “zukatje”. Kjo sugjeron emrin e saj të Merimangës Zukatëse. Pas çiftëzimit femrat prodhojnë një kokon me rreth 60 vezë. Femrat e merimangave ujk janë të njohura gjerësisht për kujdesin e tyre ndaj kokonit me vezë, pasi ato e lidhin kokonin tek spineretat e tyre në fund të abdomenit dhe e mbajnë atë me vete kudo. Pasi çelin të vegjlit, ata zakonisht ngjiten në abdomenin e nënës së tyre dhe mbahen sipër tij. Tek Hygrolycosa rubrofasciata ka një ndryshim të lehtë në këtë sjellje. Këtu, të vegjlit nuk i mbajnë nënat e tyre, por në vend të kësaj ata kapen tek kokoni i zbrazët – ndoshta një përshtatje me habitatet e tyre të lagura. Merimangat adulte zukatëse mund të gjenden nga Marsi deri në Nëntor. Meshkujt zakonisht vdesin pas çiftëzimit, por femrat zakonisht mbijetojnë në dimër.

 

Lloje të ngjashme. Në Evropë (Qendrore), merimanga zukatëse është i vetmi lloj i gjinisë së saj, ndaj dhe është e lehtë të identifikohet bazuar tek ngjyrat dhe shenjat dalluese. Për vëzhguesit pa eksperiencë, Hygrolycosa rubrofasciata mund të ngatërrohet me merimangën Zora spinimana (Miturgidae), e cila gjendet në habitate të ngjashme.

 

Pse ёshtё zgjedhur merimanga zukatëse si Merimanga Evropiane e Vitit?

Ky lloj me status të lartë rrezikimi, i cili në shtete të tilla si Austria është afër zhdukjes, duhet të tërheqë vëmendjen për kërcënimin dhe shkatërrimin e habitateve të këtyre kafshëve – në këtë rast të tharjes së kënetave. Kjo është vecanërisht e rëndësishme në termat e ndryshimeve klimatike, në atë që kënetat janë treguar të jenë gjithnjë e më të rëndësishme për ruajtjen e karbonit. Përveç kësaj është emocionuese dhe kurioze të dëgjosh një merimangë zukatëse. Sjellja e të vegjëlve është gjithashtu diçka e pazakontë tek merimangat ujk, në lidhje më faktin se pas çeljes së tyre ato mbeten të bashkangjitura tek kokoni. Duke zgjedhur Merimangën e Vitit, shkencëtarët shpresojnë që jo vetëm që do ti kushtohet vëmendje një grupi pak të njohur të kafshëve dhe habitateve të tyre të kërcënuara, por në të njëjtën kohë edhe për të mbledhur informacionin e përditësuar mbi shpërndarjen aktuale të saj. Në këtë kontekst, mund të shijoni këtë Merimangë të Vitit 2022 dhe të na ofroni ndihmë me të dhënat e vendndodhjes ose me dokumentime fotografike të këtij lloji. Merimanga Evropiane e Vitit është përzgjedhur nga 84 araknologë nga 27 shtete Evropiane. Kordinimi i votave është realizuar nga Muzeu i Historisë së Natyrës së Vjenës, së bashku me ‘Arachnologischec Gesellschaft’ (AraGes) dhe Shoqatën Evropiane të Araknologjisë. Christoph Hörweg & Blerina Vrenozi.

 

Kontakt nё Shqipёri:

Dr. Blerina Vrenozi, Muzeu i Shkencave tё Natyrёs, Rr. Petro Nini Luarasi, Nd. 76-1, No. 2, 1010 Tiranë, Shqipёri. E-mail: blerina.vrenozi@fshn.edu.al

Posted in Spider_of_the_year_2022

Leave a Reply