Spider of the year 2024 – AL

Merimanga e Vitit 2024

Merimanga e bodrumeve me këmbë si krehër

Nesticus cellulanus (Clerck, 1757)

Informacion

Merimanga e bodrumeve me këmbë si krehër, Nesticus cellulanus (Clerck, 1757), i përket familjes Nesticidae. Kjo familje merimangash përfshin 291 lloje në mbarë botën, nga të cilat 58 janë të njohura në Evropë (përfshirë Turqinë dhe Kaukazin). Në gjininë Nesticus (merimangat e vërteta të shpellave) ekziston vetëm ky lloj në Evropën Qendrore Shpërndarja, habitati, statusi i rrezikimit. Merimanga e bodrumeve me këmbë si krehër është e shpërndarë gjerësisht dhe e zakonshme në të gjithë Evropën deri në Turqi. Në Evropën Qendrore, kjo specie është kryesisht e kufizuar në lartësitë fushore-kodrinore (deri në 800 m mbi nivelin e detit), por ka gjithashtu të dhëna se ajo arrin pothuajse 1000 m mbi nivelin e detit. Nesticus cellulanus jeton kryesisht në shpella dhe tunele minierash. Në pothuajse të gjitha Listat e Kuqe, lloji nuk konsiderohet i rrezikuar, por mund të jetë në listën “pothuajse i kërcënuar”, si për shembull në Karinthia të Austrisë.

Përshkrimi

Gjatësia e trupit të femrës së Nesticus cellulanus është 3.5–6 mm, ndërsa meshkujt janë pak më të vegjël (3–5 mm). Pjesa e përparme e trupit ka ngjyrë të verdhë dhe ka një shenjë të zezë. Sternumi (pjesa e poshtme e kraharorit) është i verdhë i hapur me njolla të zeza. Abdomeni është në ngjyrë gri-të verdhë-bardhë me njolla të zeza, ndërsa këmbët janë të verdha me unaza të zeza.

Mënyra e jetesës

Siç sugjeron edhe emri i saj, kjo merimangë gjendet kryesisht në shpella, tunele minierash, guva dhe bodrume. Prandaj, ajo është e varur nga vendndodhjet me një mikroklimë të freskët dhe të lagësht. Këto vende duhet gjithashtu të jenë të mbrojtura nga ngrica dhe të mos kenë luhatje të mëdha të temperaturës. Për këtë arsye, lloji mund të gjendet herë pas here në habitate të hapura, në sistemet e çarjeve të shpateve, në çarje të errëta e të lagështa në tokë, nën myshqe, në pemë të zgavruara ose në puse. Nesticus cellulanus zakonisht ndërton një rrjetë në formë pëlhure me vrima të gjera në zgavrat e mureve të shpellave, nga e cila fijet kapëse varen poshtë. Pjesa e poshtme e çdo fijeje kapëse është e mbuluar me një rresht pikash ngjitëse të rregulluara mirë. Sapo preja ngatërrohet në pikat ngjitëse, merimanga hedh fije të tjera kapëse mbi të, e vret prenë me disa kafshime helmuese dhe më pas e tërheq lart në rrjetë. Preja tipike janë kafshët që ecin në tokë ose në mure, si mushkonjat ose insekte të tjera. Sjellja e çiftëzimit ka gjithashtu disa veçori: çiftëzimi paraprihet nga një proces njohjeje, ku mashkulli dridh njërën nga fijet e rrjetës së femrës. Pas një kopulimi të shkurtër që zgjat vetëm pak minuta, femra ndihmon mashkullin të vendosë pedipalpin. Kokoni sferik i vezëve me ngjyrë të kuqërremtë-verdhë mbahet nga femra në organet e tjerrjes (spineretat) derisa të vegjlit të çelin, dhe vetëm më vonë ngjitet në rrjetë. Pjekuria dhe periudha e riprodhimit zgjasin gjatë gjithë vitit, kështu që të gjitha fazat e rritjes mund të hasen në të njëjtën kohë, megjithëse me një grumbullim të të rriturve gjatë muajve të verës.

Lloje të ngjashme

Kjo merimangë mund të ngatërrohet me merimangën shumë më të rrallë të shpellave (Kryptonesticus eremita), e cila ka ngjyrë pak më të çelët. Shiriti qendror i zi në pjesën e përparme të trupit te Nesticus cellulanus shtrihet nga përpara mbrapa, ndërsa te Kryptonesticus eremita ai ngushtohet nga mesi ose nuk ekziston fare. Një dallim i sigurt mund të bëhet vetëm duke ekzaminuar gjenitalet ose përmes barcoding-ut të ADN-së.

Pse Nesticus cellulanus ёshtё zgjedhur si Merimanga Evropiane e Vitit?

Përzgjedhja erdhi pas një kërkese nga Shoqata e Studiuesve Gjermanë të Shpellave dhe Karstit, e cila ka përzgjedhur një “Kafshë Shpelle të Vitit” që nga viti 2009. Anëtarët e saj patën idenë – ngjashëm me vitin 2012, kur u përzgjodh merimanga e shpellës Meta menardi – për të kombinuar kafshën e shpellës dhe merimangën e vitit. Ky propozim u mbështet nga juria me 84 araknologë nga 27 shtete evropiane. Kjo duhet kuptuar gjithashtu si një shenjë e qartë se ka ende nevojë të madhe për veprim, veçanërisht në studimin e ekosistemeve nëntokësore dhe llojeve që jetojnë në to, dhe të zgjerimit të bashkëpunimit midis speologëve dhe araknologëve. Përzgjedhja e Merimangës së Vitit synon jo vetëm të nxjerrë në dritë një grup kafshësh “më pak të njohura” dhe të tërheqë vëmendjen ndaj habitateve të rrezikuara – në këtë rast shpellat si habitate të veçanta që meritojnë mbrojtje – por në të njëjtën kohë shkencëtarët shpresojnë të marrin të dhëna për shpërndarjen e saj aktuale. Prandaj, jini të vëmendshem herën tjetër që vizitoni një shpellë dhe ndihmoni në dokumentimin e këtij lloji me zbulimin ose foton tuaj. Merimanga e Vitit është koordinuar nga Muzeu i Historisë së Natyrës së Vjenës, në bashkëpunim me Shoqatën Araknologjike (AraGes) dhe Shoqatën Evropiane të Araknologjisë (ESA). Christoph Hörweg & Norbert Milasowszky.

Kontakt nё Shqipёri:
Prof. Assoc. Dr. Blerina Vrenozi, Muzeu i Shkencave tё Natyrёs, Rr. Petro Nini Luarasi, Nd. 76-1, No. 2, 1010 Tiranë, Shqipёri. E-mail: blerina.vrenozi@fshn.edu.al

Posted in Spider_of_the_year_2024

Leave a Reply